Marrëveshja bërthamore, hapi “më i suksesshëm” diplomatik i BE-së, përfundoi me zhgënjim

0
6

ŞERİFE ÇETİN

Pasi qeveria iraniane njoftoi se do të pezullojë të gjitha zotimet e marrëveshjes bërthamore, pakti, të cilin Bashkimi Evropian (BE) e kishte konsideruar si një “fitore politike” dhe e kishte bërë vazhdimësinë e saj një çështje prestigji, duket që de fakto tashmë ka ngelur në histori.

Vrasja e Qasem Soleimanit, komandantit të forcës Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, për të cilën autoritetet e BE-së u kapën të papërgatitur, bëri që marrëdhëniet e Unionit me Iranin që tashmë vareshin në një pe pambuku të futen në një periudhë edhe më të vështirë.

Edhe pse BE në një mënyrë të tradicionalizuar ka bërë thirrje për gjakftohtësi përballë tensioneve në rritje dhe ka thënë se është e shqetësuar, si dhe ka ritheksuar përkushtimin e saj për marrëveshjen bërthamore, masa e ndërmarrë nga qeveria e Teheranit e ka vënë në gjendje të vështirë Unionin.

– BE e konsideron veten si arkitekti i marrëveshjes

BE, e cila ka luajtur rol kyç në procesin që çoi deri në firmosjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin në vitin 2015, e konsideron këtë pakt si fitore diplomatike dhe çështje prestigji.

E nënshkruar midis Iranit dhe vendeve P5+1, pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (SHBA, Britania, Kina, Franca dhe Rusia) dhe Gjermanisë në Vjenë më 14 korrik 2015, njihet edhe si Plani Gjithëpërfshirës i Përbashkët i Veprimit (JCPOA).

Në këtë proces, në vitin 2009 u shqua Catherine Ashton, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë.

Ashton, e cila zhvilloi negociatat e vendeve P5+1 me Iranin deri në fund të vitit 2014, konsiderohet të jetë një nga aktorët kryesorë me aftësitë negociuese “të përcaktuara dhe të qëndrueshme” në procesin që çoi në arritjen e marrëveshjes. Madje, disa ekspertë kanë sugjeruar që marrëveshja të quhet “Marrëveshja Ashton”.

Pas Ashton, Federica Mogherini, e cila shërbeu si Përfaqësuese e Lartë në periudhën 2014-2019, gjithashtu u konsiderua si e përkushtuar për marrëveshjen me Iranin me të njëjtën vendosmëri.

Për arsye të formësimit të marrëveshjes me përpjekjet e shumë burokratëve të BE-së, krahas Ashton dhe Mogherini, Unioni e konsideron veten si arkitekt i këtij pakti.

Nga ana tjetër, marrëveshja bërthamore me Iranin siguron përfitime të konsiderueshme ekonomike për vendet e BE-së. Fakti që BE ka rritur me 31,5 për qind importet dhe 83,9 për qind eksportet në baza vjetore gjatë periudhës 2016-2017 pas nënshkrimit të marrëveshjes, tregon se interesat ekonomike janë gjithashtu të rëndësishëm për vendet anëtare.

– BE ende pa politikë të përbashkët

Megjithëse marrëveshja bërthamore e Iranit ka një rëndësi të madhe për BE-në, shihet se vendet anëtare nuk po veprojnë njëzëri përballë zhvillimeve pas vrasjes së Soleimanit dhe deklaratave të Teheranit se ata nuk do t’i përmbushin zotimet e marrëvshjes.

Menjëherë pas zhvillimeve, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili mori postin muajin e kaluar, bëri thirrje për uljen e tensioneve në rajon.

Pas kësaj, Josep Borell, Përfaqësuesi i Lartë për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, tha se po zhvillon një aktivitet të dendur diplomatik.

Borell, i cili zhvilloi bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Iranit, Javad Zarif, shprehu shqetësime për tensionet në rritje dhe e ftoi kryediplomatin iranian për vizitë në Bruksel, duke theksuar rëndësinë e marrëveshjes bërthamore në të cilën ai ka rolin e “koordinatorit”.

Borell deklaroi se e kanë pritur me “pikëllim të thellë” deklaratën e qeverisë iraniane dhe se presin konfirmimin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA).

Irani, Gjermania, Franca dhe Britania si palë të marrëveshjes së bashku i bënë thirrje Iranit që të përmbahet nga veprimet me përmbajtje dhune ose mbështetja e tyre, ndërsa kërkoi që Teherani të tërheqë mbrapa të gjitha masat që nuk janë në përputhje me marrëveshjen bërthamore.

Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së gjithashtu kanë njoftuar se do të mbajnë një takim të jashtëzakonshëm në Bruksel më 10 janar.

Megjithatë, përkundër tensioneve në rritje dhe deklaratës së Iranit lidhur me marrëveshjen bërthamore, nga 28 vendet anëtare të BE-së ende nuk ka dalë ndonjë mesazh për politikë të përbashkët.

– Mekanizmi tregtar pa rezultat

Vendet e BE-së, të cilat kanë kritikuar tërheqjen e SHBA-së nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe vazhdimisht kanë përsëritur angazhimin e tyre për marrëveshjen, njoftuan me entuziazëm se kanë krijuar një mekanizëm të veçantë për të vazhduar tregtinë me Iranin.

I themeluar nën udhëheqjen e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, Instrumenti Mbështetës i Këmbimeve Tregtare me Iranin, i njohur si INSTEX, nuk mundi ta arrijë suksesin e pritur, veçanërisht për shkak të frikës së firmave të mëdha ndërkombëtare nga sanksionet e SHBA-së.

– BE midis Iranit dhe SHBA-së

Pas tërheqjes së SHBA-së nga traktati bërthamor me Iranin dhe rivendosja e sanksioneve ndaj vendit, BE mbeti e detyruar të mbrojë marrëveshjen bërthamore e vetme.

BE, e cila nga njëra anë është shprehur e shqetësuar nga aktivitetet e Iranit në rajon, ka bërë përpjekje të mëdha për ta mbajtur marrëveshjen bërthamore të pavarur nga këto zhvillime.

Nga ana tjetër, BE u detyrua të merret me tensionet në rritje në shumë çështje në marrëdhëniet transatlantike, veçanërisht pasi Donald Trump mori përsipër presidencën e SHBA-së.

Përveç Iranit, BE dhe SHBA kanë pikëpamje të ndryshme edhe për shumë çështje të tjera, siç janë konflikti izraelito-palestinez, projektet energjetike, si dhe tarifat tregtare dhe doganore.

Siç ëshë komentuar, BE, e cila nuk ka shfaqur një qëndrim të qartë ndaj vrasjes së komandantit të forcës Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, Soleimani, dhe është mjaftuar me thirrjen për “uljen e tensioneve në rajon”, nuk dëshiron “të hidhërojë” as Iranin, as SHBA-në.

Deklarata e Sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo se ai pret më shumë mbështetje nga Evropa, thuhet të ketë shkaktuar shqetësime në Bruksel.

BE nga njëra anë ngurron të humbasë Iranin, ndërsa nga ana tjetër është po ashtu e shqetësuar për tarifat e mundshme të administratës Trump, veçanërisht në fushën e automobilave.

– “Suksesi” i BE-së dështoi

Për BE-në që nuk ka arritur shumë sukses politik në historinë e fundit, marrëveshja bërthamore përbën një “fitore diplomatike” të rëndësishme.

Megjithëse angazhimi i BE-së për marrëveshjen bërthamore me Iranin duket sikur nuk përmban vetëm shqetësime për stabilitetin rajonal ose denuklearizimin, një tension i ri në Lindjen e Mesme po shkakton një skenar “migracioni”, për të cilin Unioni ka shumë frikë.

Sado që liderët e rinj të BE-së, presidentja e Komisionit Ursula Von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe Përfaqësuesi i Lartë Borell, thonë se synojnë ta bëjnë BE-në një “aktor global”, Unioni nuk ka arritur të avancojë përtej shprehjes së shqetësimeve dhe dënimeve lidhur me Iranin në veçanti dhe Lindjen e Mesme në përgjithësi./AA

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here